Friday, May 2, 2008

PRIMO SHLLAKU: POEZI

ALEKSANDRA

Shkojnë autobusat nëpër natë.
Zhurma e njenit duket si gjellë
që heshtaz valon.
Ai të zbret te pragu i derës sime.
Ti sjell me vete mollë,
shkrepse
dhe trokitje padurim

1989


DYSHI

Isha i marrë kur besoja
Se dashunia vjen.
Jo. Dashunia ikë,
Ikë gjithmonë.
Dashunia s'ka ftyrë.
Ka vetëm shpinën.
Ajo jeton në shtjerrje gjithëherë,
Jeton në zgrip ndonjiherë.
Si jeta.
Jeta e vogël, (la vie mineure)
Që zgjat.
Kjo jetë e vogël, e bame prej ne të dysh.
Dhe prej gjithë të dyve të tjerë që janë.
Dyshi.
Numri ma i madh i botës.
I pamatë.
Botë e futun në gjoks.
Botë që shtjerret.
Botë që rri në zgrip.
Botë që zgjat.
Prandej isha i marrë kur besoja
Se dashunia ikë.
Jo, dashunia vjen.
Kthehet e vjen prap.
Ndoshta?

1978


NJI PLAGE

Qe, ky ishte gjaku im.
Nji çast ma parë ai vraponte nëpër zemër.
Merre këtë gjak dhe vene në qiellin tand
si diell.
Në s'ban,
vene si hanë.
Në prapë nuk ban, vene siç asht,
si gjak
që disa çaste ma parë
vraponte në zemrën time
dhe ndoshta atje i pa,
n'errsinën e kuqe,
sytë
e tu plot drit

1983


GOSTIA

Ne ishim pak
Dhe kishim pak me thanë.
Dielli ishte përshkue nëpër tavolinën tonë
dhe ishte ndalë te pasqyrat.
Vetëm frutat s'i kishte zanë hija.
Dora ndiqte copat e diellit
deri te cepi i tavolinës që mbaronte me zgrip.

Ne pinim ujë të ndêjun,
ndonji dëshironte me heshtë
dhe na e lênim të heshtte
ndërsa dielli i radhës e prekte në shpinë.

Flisnim për motin, për thojzat,
për pikturat me karbon e teatrin.
Flisnim për kambët e Maries.
Ra fjala për frutat që po mbaronin,
u përmendën ato që do të delnin.
Pak ishim që donim të flisnim.
Të tjerët rrinin aty të papranishëm.

Flisnim për ditën që shkurtohet.
Flisnim për freskun e darkës.
Flisnim për gjoksin e Maries.

Na ishim pak,
Askush s'kishte ma qejf të fliste.
Dikush vërejti se këtë radhë
Fjalët kishin sosë para ushqimeve.
Krismat n'tavolinë ishin metalike,
Krueset e dhambëve ishin mbarue të gjitha.

Flisnim për Marien, për vdekjen e saj,
Ra fjala për vorrin.
S'e di se kush tha se ajo ishte skelet tashma.
Lëvizje kambësh nën tavolinë.
Ky ishte shêj se fjalët,
nëse s'kishin mbarue,
ishin kah mbarimi.

Na flisnim për Marien,
për jetën e saj, për fundin,
pinim kafe me thithje të gjata
dhe pyesnim vetveten
nëse do të delte nji tjetër si ajo?

1988


REJA, MALI DHE TI

Ne fund te rruges qe more
erdhi nje shenj kohe
qe mbetet
ti, mali dhe reja.
Ishit vetem te tre.
Vetem.
Bota qe terheqe.
Mes jush frynte nje ere e ftohte pa cak.
Ju shikova
dhe diku thelle ne mue
dicka e vogel u keput.
Ju ndejtet aty te ngrime,
te ardhun prej thellesise se castit
derisa e rrahuna e qerpikut tim
ju shtyu edhe nje hap.
Mbi ecjen tuej te ngadalte,
te shpejte,
te pame dhe ta papame
shuhet ngadalte,
kujtimi
i atij casti
tashma
te harruem.

Drisht, 1978



NE VETEN E DYTE

Ti
i vetmi kujtim i dites tjeter
Ti
E vetmja pasqyre e diellit te zhdukun.
Ti
ma pershperitesi burim i drites.
Ti
shkallare e imet drite qe ngjit kah inteligjenca.
Ti
e vetmja cice e nje shtatoreje te pazbulueme.
Ti
syni endacak i nje trendafili qe jeton moshen e vet blu.
Ti
tel i trashe kontrabasash i shkurdisur nder huj.
Ti
send i ndritshem qe vala hedh ne plazhet e qiellit.
Ti
syni ma i habitun
ma i madh
ma kureshtar i krejt femijenise sime.
Ti
cerdhe e fresket dallendyshash
qe zemra nis pa pushim drejt botes.
Ti
pashkez e lumtun mbi faqen e erret te gjithesise.
Vete shterpe, por dashnore e dashnoreve.
Zemren prush
synin freski.
Ti
e vetmja qe s'e njeh lamtumiren.
Ti
sy i celun me vese mbi nja balle teper tue nderrueshem
Ti qe ne gjuhen time amtare ke emrin tingellues:
HANA

1985


BASHKEKOHES

Kemi linde bashke
dhe koha
per ty njelloj kalon.
nje minut yti
per nje minut timin
ose, per saktesi,
nje minut yti
per gjashte dhjete sekonda te jetes sime kalon,
vjen, barazohet e shkon.
Po.
Cdo casti i imi
asht i njajti cast i yti
a thue se gojet tona
mbi te njajten cice
thithin njeheresh ranen e amshte te zgjatjes se sendeve.
Nje dite do ta marrim vesh
se e vetmja gja qe kishim te perbashket
deri ne fund
ishte saktesia e persosun
se cdo dite e imja
ishte saktesisht e njajta dite e jotja
dhe se, pa e dite,
na kishim jetue kohen e njeni-tjetrit
me titullin ma te lehte te botes:
"bashkekohes"
Me duej pra, se dielli asht njeni prej nesh.
Me duej se ky yll qe pershperit ate heshtjen e vet blu
ndoshta asht nje fill i keputun drite
e Koha s'rrjedh ma per te.
Me shih si nje gja
qe ma kurre nuk do te perseritet mbi toke,
si nje qe ndave me te
saktesisht
e barabar
cdo thermi te kohes tande.

Dyert tona jane te verbeta
dhe syte nuk mund te shtrengojne.
Keta sy qe ndeshen, pyeten
por qe s'preken, s'njihen.
Ah, gati vdekja!
E une kam me te dashte
si due token.
ate toke
ku muzat e vdekuna nuk lane skelet
por bar mbi syte e pleqve

1986


DUER TE PAMUNDUNA

Anes Luka

Kam mall me i pa duert e mia.
Kam mall me i zberthye nje pulle te njohun.
Kam deshire me u krye diku te thembra.
Kam deshire ta deboj kete mize te syni.
Duer mbi tavolinen e nje dasme
Duer te medha ku pushon koha
Duar ere te papritun mbi pemet e prehjes
Duer qe ndezin nje qiri
Duer qe shkruajne ne ajer figura blu
Duer mbi grunin e ri e te vjeter
Duer mbi tavolina, kercenuese dhe andrrimtare
Duer qe rreshqasin pa shkrue
Duer mbi qytet
Duer qe marin nje hane
Duer te besdishme qe s'i se ku t'i futesh.

Kam mall me i pa duert e mia
Kam mall me i ferkue duert e mia
Kam deshire me hape dere ne doren time
Kam nevoje me i shtri duert e mia perpara.
Por duert e mia jane te lidhuna mbrapa.

Duer te shendosha
Duer skeletike
Duer qe s'kane asgja
Duer qe kane gjithcka pikersiht se nuk kane asgja
Duer qe dashunohen
Duer qe urrehen sepse nuk njihen
Duer qe nuk duhen sepse nuk njihen
Duer te vemendshme
Duer te vdekuna nga vemendja
Duer qe dallojne buzen nga thembra
Duer qe humbasin ne pyjet e flokeve
Duer te vdekuna pa zberthye nje gushe
Duer te ndrojtuna ngjyre rranje
Duer qe do te donin me qene duer.

Kam mall me i pa duert e mia
kam deshire me shkrue nje emen
Kam deshire me preke
dicka me dashje
Asht koha me tregue me gisht.

Por duert e mia ende s'kane linde ...

1987


GJUETARE

Binte shi ate dite
Dhe femijet do te shkonin per zogj
Nder xhepa llastika dhe gure
Gure te zgjedhun te rrumbullaket

Ate dite shiu s'kishte pushue
por femijet e kishin lane te shkonin
Kercitnin guret neper xhepa
Shkrehnin llastikat ne te thate.

Varg u nisen femijet neper shi
Shoshokut i shkelnin thembrat
Grate shihnin ne enderr fundin e tyne
Burrat shihnin cigaret deri afer thonjve.

Nje per kacube rrinin femijet neper prita
Shiu u lagte floket, duert, syte e shpinen
i njajti shi binte mbi zogjte e strukun
Prandej rrinin thelle ne zemer te ferrave.

Priten me ore femijet kalimin e ndonje zogu
Iu ngrine gishtat ne lastika te pashkrehuna.

Me shi u kthyen femijet, m eshi ashtu si dolen
Neper ajrin blu te dites qe mbaron
i fshehen rrobat, kepucet, i ndrydhen teshtimat
Por askush s'i pyeti, si qysh e tek.

Nen shi shkuen, nen shi erdhen
Me gure u nisen, m egure u kthyen
Zogjte kishin mbetur prej shiut nder skuta
Ai shi prape binte krena te tyne ne shtreten.


SIMFONI

Moxarti asht semunde.
Puthjet mund te mbaronin.
Moxarti lengon.
Une gjeta fjale te reja.
Moxarti dha shpirt.
Ne kemi nje cast lodhjeje per kujtimin tone.
befas Moxarti ngjallet
Nje tjeter simfoni po lindet.
Kesaj here autoret jemi na.

1986


KEPUCET

Me vrisnin kur ishin te reja
Tashti
qe kamba i ka ba per vete,
jane vjetrue.
Ishte nje cast vec,
kur s'me vrisnin fort
e s'ishin te vjetra fort.

1987


KRYET E GJELIT

Ne livadh kryet e nje gjeli qe kendonte.
Syni i poshtem
mbi bar te ashper
qe ther si fjale.
Syni i siperm
drejt nje qielli te gjanev si heshjte.
Shikimi i tij si pyetje retorike.
Qielli, e vetmja liri.
Heshtja e vetmja shkence.
Dashunia i vetmi dimension.

1989


KRIM I PERSOSUN

Nje diktatori

E mbolli aren e Buzeqeshjes me miser te verdhe gjeorgjian
Nxorri jashte ligji Pasten e Brushen e dhambeve.

1992


PESHKU I VOGEL

Ate dite lumi po shterrte.
Mbeti pa grope
peshku
dhe perhere e ma i vogel
bahej rrethi
i rruges se tij

Nje diell i nalte
ia merrte ujin gropes,
nje toke e rreshkun
ia thithte ujin gropes.
Peshku
rrotullohej perhere e ne rrathe ma te vegjel,
ma ta vegjel.
Shpina e tij e murrme
u duk si gunge mbi uje.
barku i tij ndeshi ne zall.
Nje diell i nxehte ia thithte ujin,
nje zall i rreshkun ia vidhte ujin
peshkut.
Ky peshk i vogel
s'mund te rrinte ma vec ne bark.
Syni i tij shihte ne ajer,
tjetri vec koken e turbullt.
Mbas pak ai mbeti,
hasi ne toke
dhe miza celiku iu ndalen mbi sy.
Ai u hodh.
Diku nder make
stuhia kish shperthye
me shi e me rrebesh.
Ujenat e qiellit,
te bame ujenat e tokes,
po vinin neper zall
ne drejtim te peshkut te vogel
qe luftonte me mizat prej celiku.
Lekura po i thahej peshkut
me nje blu te panjohun.
Uji po vinte
me ballin e vet te shkumezuem,
po vinte drejt peshkur.
Ai perhere e ma rralle perpelitej.
perhere e ma fort ...
Dicka si jeta a vdekja
e shqetesonte peshkun e vogel.
Uji po mberrinte
tue e lage zallin me shkumen e vet kakao.
E ndieu peshku rropamen e ujit
qe po vinte afer,
e ndjeu ...
Ah, po te arrije, po te arrije ...
U ngrit peshku nalt me furi,
mizat u shperndane,
trupi ju njom.
Furia e vales
e shtyu ne nje amull.
U peshtet per breg
dhe, me gojen e hapun,
merrte nje fryme me zor.
Erdhi uji, erdhi uji,
i dha vetes peshku,
por trupi s'iu bind ma.
brenda tij sendet po ndaheshin.
I dha prape vetes qe te ndreqej.
Dicka si truni a zemra a muskujt
nuk i punonin ma peshkut.
Erdhi vone ky uji erdhi vone.
Te vinte atehere kur u duken te parat miza.
Atehere te kishte ardhe ...
Mizat prej celiku u duken prape.
Kesaj here peshku ishte i tyne ...

1986 -1988

FUNDI I KSAJ VERE

Ajër i palëvizun
dhe erna të mshefta
që bajnë me mërdhitë ujnat e fundit të kësaj vere.
Gjinkallat sharrojnë zhegun e lodhun,
ndërsa plepat djalosharë bisedojnë atje në majë,
me gjuhën e ndonjë gjethi që s’mbshet ma.
Dhe shtati i tyre avullon nëpër zhegun
me sytë e picërruem
Pjesazhet janë ba të pjerëta
dhe malet janë ngjitë në qiell me lehtësi shpijake,
ndërsa syni i reshkun kërkon pemët e fëminisë,
hijet e përhershme
dhe ujnat e fundit të kësaj stine.
Gjithçka shtihet përpara
nën dorën time që s’mund të zgjedhë
dhe hija e saj fort i përngjet
melankolisë dhe urave të saj që më lidh me botën.
Një diell mizor
që ka zenë vend tamam mbi lëkurën time të pambrojtun,
ma thith nga mendje karvanin e duerve të sime shoqje
që shkojnë të lahen ndër brigjet,
ku reh vala e gjakut tim.
Kjo dritë e fundit të verës
që sytë e si depërton,
më rrzon në shpinë,
më ngroh, më pështjell me nji lbyrje të madhe e të gjatë,
që mue më topit si një dashuni e re
e ndryshme dhe e pa përmbajtshme.


LULE NËN BORË

Po të niste
atë natë papritmas me ra borë,
do të delja shpejt me i mbledhë
të gjitha lulet
që rrejti mot i mirë
Do ti fusja në vathë kto lule,
të gjitha si dele të buta,
të bardha e të bindura...
Të këputuna.
E vatha do të ishte nji buqetë e madhe
me erna të lehta,
andërruse, shtegtuse, dëshpëruse.
Vdekja i përngjet një lulje të bardhë,të ftohtë si ajo bora
që atë natë mund të niste papritmas me ra.
por i përngjet dhe vathës ku delet janë lule
e ajo vetë buqet.
I përngjet erës së çdo lulje të kputun,
që shpirti i del, e i bahet aromë.
Po të niste atë natë,
papritmas me ra borë,
do të delja shpejt me ndejë
dhe unë nën borë me lulet.

ARNA BORE


Atë ditë

kur të iki

do të jetë nji ditë me borë.

Kuaj të mdhej

me trokun epsharak

do të pjerdhin me zâ të naltë

gjatë ktij udhtimi.

Zogj të ngrimë,

veshun randë për jaz

glacojnë shpirtin e vet

në vend të duartrokitjes.

Nji çetë e krrusun hijesh

çan me gulshim,

skllopin e ndytë të borës

e lagun deri në sqetull.

Gjurmët e tyne të murrme

e vijat e rrotave

janë poezia ime e fundit

për kët sezon.

Në atë furrë ku do të pushoj,

prapë do të përgatitem,

që të kthej si shpend i nxehtë

në atë stinën tjetër

plot arna bore.


( 18.01.2002 )

1 comment:

SALUT said...

TE mrekullueshme , njera ma e bukur se tjetra. me vlera dhe me plot bote kuptim.
pershendetje profesor PRIMO
NGA Lindita Pjeshka